Rama vlerëson angazhimin e Emina Çunmulajt: Kujtesa historike e Kosovës si mision global

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar lart angazhimin e modeles dhe aktivistes shqiptaro-amerikane Emina Çunmulaj duke e cilësuar atë si përfaqësuese të një vetëdijeje të gjallë qytetare që lidh identitetin kombëtar me përgjegjësi konkrete.

Sipas Ramës, përmes përkushtimit të saj të vazhdueshëm, Çunmulaj po kontribuon në bartjen e rrëfimit të Kosovës përtej kufijve duke e shndërruar kujtesën historike në një mision të qëndrueshëm dhe me ndikim ndërkombëtar.

Ai ka theksuar se rrëfimi i Ferdonijes, i sjellë përmes këtij projekti, është personifikim i humbjes, vuajtjes dhe çnjerëzimit që populli i Kosovës përjetoi gjatë luftës. Një rrëfim i rëndë, por i domosdoshëm, që kërkon jo vetëm kujtesë, por edhe drejtësi.

“Kosova qëndron mbi kujtesë. Dhe për aq kohë sa ka njerëz si Emina dhe Artani, që punojnë me zemër dhe përkushtim, e vërteta jonë nuk do të shuhet kurrë”, ka deklaruar Rama.

Angazhime të tilla, sipas tij, janë dëshmi se rrëfimi i Kosovës vazhdon të jetojë dhe të dëgjohet, falë individëve që e shndërrojnë dhimbjen kolektive në thirrje për ndërgjegje globale. /Kosova.info/


Go to TOP