Rama viziton Drenasin: Kryeqyteti në mbështetje të komunave të prekura nga vërshimet
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka vizituar sot komunën e Drenasit, ku u takua me kryetarin Ramiz Lladrovci për të diskutuar situatën e krijuar pas vërshimeve që prekën këtë zonë.
Rama theksoi se Drenasi ishte ndër komunat që u përball me sfida serioze si pasojë e reshjeve të mëdha dhe vërshimeve duke përgëzuar kryetarin Lladrovci për punën e bërë dhe menaxhimin e situatës emergjente. Ai vlerësoi angazhimin e institucioneve lokale në reagimin e shpejtë dhe në mbrojtjen e qytetarëve.
Sipas tij, Kryeqyteti ka qenë i pranishëm në mbështetje të Drenasit përmes ofrimit të pajisjeve dhe koordinimit të vazhdueshëm me ekipet emergjente të Drejtorisë së Sigurisë dhe Emergjencave duke kontribuar drejtpërdrejt në menaxhimin e pasojave të vërshimeve.
“Kemi qenë dhe do të jemi pranë qytetarëve duke bashkëpunuar ngushtë me komunat në situata emergjente,” u shpreh Rama duke nënvizuar rëndësinë e solidaritetit institucional dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në fund, ai ritheksoi se Kryeqyteti do të mbetet gjithmonë i gatshëm të qëndrojë pranë të gjitha komunave të Kosovës, me përgjegjësi, solidaritet dhe bashkëpunim, në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve 🤝🇽🇰.
