Rama: Siguria fillon nga infrastruktura – instalohen sisteme moderne kamerash në objektet e Zjarrfikësve të Kryeqytetit

Në kuadër të vizionit për një Kryeqytet më të sigurt, Kryetari Përparim Rama ka bërë të ditur se është finalizuar instalimi i sistemeve moderne të kamerave të sigurisë në objektet e Brigadës Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim (BPZ) në Prishtinë.

Këto sisteme të avancuara janë vendosur nga Drejtoria për Siguri dhe për Emergjenca e Kryeqytetit dhe do të mundësojnë mbikëqyrje të vazhdueshme, reagim më të shpejtë në raste emergjente, si dhe mbrojtje më të lartë për personelin, pajisjet dhe infrastrukturën jetike.

“Kjo është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe gatishmërisë operacionale të shërbimeve tona. Siguria fillon nga infrastruktura, dhe çdo përmirësim që bëjmë është investim i drejtpërdrejtë në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë,” ka theksuar Rama.

Ky projekt është pjesë e planeve të vazhdueshme të Komunës së Prishtinës për modernizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e mekanizmave të reagimit në raste emergjencash. /Kosova.info/


Go to TOP