Rama: Sezoni i ngrohjes në Prishtinë fillon 8 ditë më herët për shkak të temperaturave të ulëta
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sezoni i ngrohjes qendrore për vitin 2025/2026 do të nisë më 8 ditë më herët se zakonisht, për shkak të temperaturave të ulëta që kanë mbretëruar ditëve të fundit.
Në një postim publik, Rama bëri të ditur se ngrohja do të fillojë sot, më 7 tetor, ndërsa sezoni do të zgjasë deri më 15 prill të vitit të ardhshëm. Ai falënderoi ndërmarrjen publike “Termokos” dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për bashkëpunimin dhe përgatitjet e kryera që sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji termike për qytetarët e kryeqytetit.
> “Sezoni i ngrohjes qendrore fillon më 15 tetor dhe përfundon më 15 prill, por sivjet, për shkak të temperaturave të ulëta që po mbretërojnë këto ditë, sezonën po e nisim 8 ditë më herët. Faleminderit NP ‘Termokos’ dhe KEK-ut për përgatitjet dhe bashkëpunimin që, tashmë prej vitesh, sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me ngrohje për mbi 25 mijë familje dhe biznese në kryeqytet,” ka shkruar Rama.
Kryetari kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve gjatë orëve të para të furnizimit, teksa ngrohja do të stabilizohet gradualisht në të gjitha lagjet e Prishtinës.
“Së bashku po sigurojmë një Prishtinë më të ngrohtë dhe më të sigurt këtë dimër,” përfundoi Rama.
Ky është viti i dytë radhazi që “Termokos” dhe KEK nisin furnizimin me ngrohje para afatit zyrtar, në përpjekje për t’u përshtatur me kushtet klimatike dhe për të garantuar komoditet për banorët e kryeqytetit. /Kosova.info/
