Rama pret në zyrë të rinjtë e QSI: Të rinjtë janë pasqyra më e mirë e së ardhmes që duam
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në zyrë një grup të rinjsh nga Këshilli i Nxënësve të Shkollës Ndërkombëtare QSI.
Gjatë takimit, të rinjtë shprehën interesim për punën e Kryeqytetit, me theks të veçantë në planifikimin urban dhe mënyrën e funksionimit të qytetit. Rama theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset zhvillimore dhe vizionin për një Prishtinë më të mirë.
“Të rinjtë janë pasqyra më e mirë e së ardhmes që duam të ndërtojmë. Jam i inkurajuar nga gatishmëria e tyre për të kuptuar më shumë dhe për t’u bërë pjesë aktive e zhvillimit të qytetit tonë,” u shpreh kryetari Rama.
Takimi u karakterizua nga një diskutim i hapur, ku të rinjtë sollën pyetje, ide dhe reflektime mbi të ardhmen e Kryeqytetit. Kryetari u shpreh i gatshëm të mbështesë përfshirjen e tyre në projektet qytetare dhe edukimin për qytetari aktive. /Kosova.info/
