Rama pret Ambasadoren Tamar Ziv: Prishtina dhe Izraeli forcojnë bashkëpunimin kulturor
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mirëpriti sot në Odën e Kryeqytetit Ambasadoren e Izraelit në Kosovë, znj. Tamar Ziv, ku diskutuan mbi bashkëpunimet kulturore mes dy vendeve.
Në qendër të bisedës ishte organizimi i Javës Kulturore Kosovë–Izrael, e cila do të mbahet në maj 2025. Kjo ngjarje pritet të sjellë aktivitete të shumta kulturore, artistike dhe akademike, duke afruar më tej komunitetet e të dyja vendeve.
“Këto iniciativa jo vetëm që pasurojnë jetën kulturore të kryeqytetit, por edhe kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe miqësisë mes dy vendeve,” u shpreh Rama pas takimit.
Ambasadorja Ziv theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla për ndërlidhjen e kulturave dhe shprehu gatishmërinë e Izraelit për të mbështetur projekte të përbashkëta në fushën e artit, arsimit dhe trashëgimisë kulturore.
Ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të Prishtinës për të krijuar ura të reja bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë dhe për ta shndërruar kryeqytetin në një qendër dinamike të shkëmbimeve kulturore. /Kosova.info/
