Rama: Po vazhdojmë unazën e brendshme – shumë shpejt çlirohet trafiku në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar nga terreni për ecurinë e punimeve në unazën e brendshme të kryeqytetit, konkretisht në segmentin që përfshin urën e re lidhëse. Ai deklaroi se vendosja e strukturave horizontale është në përfundim, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në lirimin e trafikut të rënduar në zonë.

“Jemi këtu te unaza e brendshme e kryeqytetit ku kemi filluar faktikisht me vazhdu unazën, me vazhdu urën, po e shihni. Ju kërkojmë falje që kemi edhe nja gjysmë ore trafik, por trafiku do të çlirohet tash, kur përfundojmë vendosjen e këtyre horizontaleve që po e krijojnë ndërlidhjen me urën ekzistuese,” deklaroi Rama.

Nga ana tjetër, drejtori i investimeve kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, e cilësoi projektin si një punë të jashtëzakonshme.

“Urime kryetar, një punë e jashtëzakonshme. Shumë shpejt edhe do e funksionalizojmë urën,” u shpreh Havolli.

Kryetari Rama përfundoi me një thirrje të shkurtër: “Urime Prishtina!”.

Ky projekt pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm në qarkullimin urban dhe të lehtësojë lëvizjen në zonën qendrore të qytetit. /Kosova.info/


Go to TOP