Rama: Po ndërtojmë një Kryeqytet ku gratë janë udhëheqëse të ndryshimit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar përkushtimin e institucionit që ai drejton për të ndërtuar një Kryeqytet ku gratë nuk janë vetëm pjesë e tregut, por udhëheqëse të ndryshimit në ekonomi, komunitet dhe jetën publike.
Deklarata e tij erdhi gjatë ceremonisë përmbyllëse të projektit “Enhancing Community Trust-Building through Women’s Business Development and Interaction”, i zbatuar nga organizata LADY me mbështetjen e UNMIK-ut.
“Pamë nga afër se çfarë do të thotë fuqizim i vërtetë. Ky projekt është dëshmi se ndërtimi i besimit ndërmjet komuniteteve fillon me mundësi të barabarta dhe me ekonominë që hap dyer për të gjithë,” tha Rama në fjalën e tij.
Ai theksoi gjithashtu se Prishtina do të mbetet një hapësirë e hapur, ku çdo ide ka vend të bëhet realitet duke përkrahur në veçanti iniciativat që kontribuojnë në barazi dhe zhvillim gjithëpërfshirës.
Ky projekt është vlerësuar si një model për forcimin e rolit të gruas në ndërtimin e kohezionit social dhe zhvillimit ekonomik në nivel lokal. /Kosova.info/
