Rama: Po ndërtojmë çerdhe moderne në Dardani për 120 fëmijë – çdo fëmijë meriton një fillim të mbarë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për ndërtimin e një çerdheje moderne në lagjen Dardania, me një sipërfaqe prej 2,000 metra katrorë, e cila do të ofrojë hapësirë dhe kujdes për 120 fëmijë.

“Po krijojmë kushte të denja dhe të sigurta për edukimin e hershëm të fëmijëve tanë,” deklaroi Rama duke theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën parashkollore për zhvillimin e qëndrueshëm të Kryeqytetit.

Ai shtoi se zgjerimi i kapaciteteve për kujdesin dhe edukimin e hershëm po vazhdon në të gjitha lagjet e Prishtinës. “Infrastruktura parashkollore po zgjerohet në të gjitha lagjet e Kryeqytetit, sepse çdo fëmijë meriton një fillim të mbarë,” theksoi Rama.

Ky projekt vjen si pjesë e strategjisë komunale për të përmirësuar qasjen dhe cilësinë e shërbimeve për fëmijët e moshës parashkollore duke synuar të ulë mungesën e hapësirave publike për çerdhe dhe të përmbushë nevojat gjithnjë në rritje të prindërve të rinj në Prishtinë. /Kosova.info/

Go to TOP