Rama: Po i kthejmë hapësirat e harruara të Prishtinës në qendra arti botëror
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar nisjen e një projekti vizionar që synon transformimin e hapësirave të harruara në Kryeqytet në rezidenca kreative për artistë nga mbarë bota.
Sipas Ramës, ky projekt do të shndërrojë këto hapësira në qendra ku do të takohen kultura të ndryshme, ide të reja dhe bashkëpunime ndërkombëtare duke e vendosur Prishtinën në hartën e artit bashkëkohor global.
“Po nisim një projekt vizionar: transformimi i hapësirave të harruara në rezidenca kreative për artistë nga mbarë bota. Këto hapësira do të kthehen në vende ku takohen kultura, ide të reja dhe bashkëpunime ndërkombëtare,” ka deklaruar Rama.
Ky projekt ambicioz do të realizohet në bashkëpunim me artistin me famë ndërkombëtare, Sisley Xhafa, i njohur për veprat e tij që bashkojnë artin, arkitekturën dhe filozofinë urbane.
Rama theksoi se ky është një tjetër hap drejt transformimit të Prishtinës në një kryeqytet të gjallë kulturor dhe kreativ, ku arti bëhet pjesë e përditshmërisë qytetare. /Kosova.info/
