Rama për Sky News: Pres që qeveria britanike të kërkojë falje për deklaratat e ministres Braverman
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median britanike, Sky News ku ka folur për largimin e emigrantëve shqiptarë drejt Britanisë me gomone.
Rama është shprehur se është ende në pritje të kërkimit të faljes nga qeveria britanike lidhur me komentet e ministers së Brendshmë, Suella Braverman për shqiptarët. Braverman i etiketoi refugjatët shqiptarë si “kriminelë që po pushtojnë Anglinë”.
Sipas kryeministrit Rama, deklaratat e sekretares së Brendshme Britanike, është bërë për qëllime elektorale.
“Në politikat e ditëve të sotme nganjëherë këto gjëra mund të ndodhin, por ajo që më shqetëson më shumë është se nuk kërkohet falje. Është një mënyrë e ekzagjeruar e të shprehurit. Kjo është ajo që më shqetëson. Kjo do të thotë se ka një kalkulim, ku ti vërtetë po flet për disa votues, që të dëgjojnë atë, pasi ti do votën e tyre.“, u shpreh Rama.
Diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, pas deklaratave të bëra nga sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale.
