Rama: Pas 20 vitesh, rikthehet Galeria e Arteve në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Galeria e Arteve në Prishtinë po rikthehet pas më shumë se dy dekadash. E themeluar më 2 shkurt 1979, kjo hapësirë ikonike në Pallatin e Rinisë kishte humbur funksionin e saj artistik duke u shndërruar përkohësisht në hapësirë afariste.

“Tani po e rifiton funksionin e saj të parë, atë të shtëpisë së artit dhe krijimtarisë,” ka deklaruar Rama.

Galeria e Arteve ishte hapësira e parë ekspozuese në Kosovë, e cila që në inaugurimin e saj me ekspozitën “Bashkëkohësit tanë” shënoi një periudhë të rëndësishme për zhvillimin e artit pamor kosovar.

Rihapja e saj do të shënohet me një ekspozitë të veçantë që do të bashkojë artistët që kanë ekspozuar aty gjatë viteve ’70 dhe ’80 duke krijuar një urë simbolike mes brezave të krijuesve dhe duke i kthyer Prishtinës një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës dhe artit bashkëkohor./Kosova.info/


Go to TOP