Rama nga Tirana: Sot rreh një zemër e vetme shqiptare – Drejtësi për çlirimtarët, lavdi UÇK-së!

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur një fjalim emocional gjatë protestës mbarëkombëtare të mbajtur në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në prani të mijëra qytetarëve nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, Rama theksoi se sot “në këtë shesh rreh një zemër e vetme shqiptare” duke përkujtuar me nderim të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë.

“Sot ky shesh frymon me gjakun dhe nderin e atyre që rrokën pushkën për tokë, për gjuhë, për nder. Lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, çlirimtare. Gjaku i djemve e vajzave të UÇK-së është themel i shtetit të Kosovës dhe forca e qenies shqiptare në Ballkan”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini, Presheva e diaspora janë sot “një trup, një zemër, një flamur” duke shtuar se “asnjë mur, asnjë proces, s’mund të ndajë atë që u lidh me gjak e besë”.

Rama e përmbylli fjalimin me një thirrje të fuqishme për drejtësi dhe unitet kombëtar:

“Kush e do drejtësinë, e do edhe UÇK-në. Kush e do paqen, e nderon lirinë që sollën çlirimtarët tanë. Le ta bëjmë këtë ditë betim për lirinë që nuk shuhet dhe kujtesën që nuk harron. Drejtësi për çlirimtarët! Lavdi UÇK-së!”. /Kosova.info/


Go to TOP