Rama në Makërmal: Kujtesa për të zhdukurit, themel i së ardhmes sonë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë sot në Makërmal të Drenicës në një aktivitet kushtuar kujtimit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilët ai i cilësoi si plagën më të madhe të kombit shqiptar.
Në këtë ngjarje u prezantua filmi i regjisores Dea Gjinovci, që sipas Ramës, arriti të shndërrojë kujtesën kolektive në art, duke rikujtuar se e kaluara e dhimbshme është një thirrje e përhershme për drejtësi dhe kujdes ndaj së vërtetës.
“Makërmali ishte i mbushur me njerëz e fëmijë, fytyrat e të cilëve bartnin rrëfimin e brezave. Jam thellësisht i lumtur që kryeqyteti e ka mbështetur këtë projekt. Do të vazhdojmë të përkrahim çdo përpjekje që hedh dritë mbi historinë tonë të përbashkët, sepse kujtesa nuk është vetëm detyrim moral, por edhe themeli i së ardhmes sonë,” u shpreh Rama.
Ai falënderoi banorët e Drenicës për pritjen dhe regjisoren Dea Gjinovci për “thesarin” që, sipas tij, kontribuon në ruajtjen e kujtesës historike të Kosovës. /Kosova.info/
