Rama: Ndriçimi në tunelin dhe rrugën e Veternikut u rikthye – Siguria e qytetarëve mbi çdo barrierë institucionale

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ndriçimi në tunelin dhe përgjatë rrugës së Veternikut tashmë është plotësisht funksional duke rritur ndjeshëm sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Edhe pse këto segmente rrugore janë nën menaxhimin e Ministrisë së Infrastrukturës, Rama theksoi se për Kryeqytetin prioritet mbetet gjithmonë qytetari dhe siguria e tij, pa u ndalur në barriera institucionale.

“Kur bëhet fjalë për interesin publik, nuk ka barriera institucionale. Jemi dhe do të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve duke ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së jetës, kudo që ka nevojë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se ky veprim është pjesë e angazhimit të përditshëm të Kryeqytetit për të ofruar më shumë përgjegjësi dhe më pak fjalë duke vënë theksin në punë konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Sipas Ramës, përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e sigurisë rrugore mbeten ndër prioritetet kryesore të Kryeqytetit, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më funksional për të gjithë. /Kosova.info/


Go to TOP