Rama nderon Dr. Bujar Bukoshin: Shembull i shërbimit me dinjitet dhe simbol i përkushtimit institucional

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në mbledhjen komemorative për nder të Dr. Bujar Bukoshit, të organizuar nën kujdesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku ka përkujtuar me respekt dhe mirënjohje jetën dhe veprën e tij.

Në fjalën e tij, Rama e cilësoi Bukoshin si një figurë të pazëvendësueshme në historinë moderne të Kosovës, i cili përmes rolit të tij si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil, mbrojti jetën dhe qëndrueshmërinë e mijëra familjeve shqiptare në vitet ’90. “Vetëm ky kontribut mjafton për një mirënjohje të thellë kombëtare,” theksoi ai.

Rama nënvizoi se Dr. Bukoshi ishte shembull i shërbimit me dinjitet, jo vetëm si mjek dhe kryeministër, por edhe si patriot që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin civil, administrativ dhe ushtarak të Republikës së Kosovës.

Ai rikujtoi gjithashtu rolin e Bukoshit si bashkëthemelues i LDK-së dhe pjesëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, një moment vendimtar që çoi në ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e vendit.

“Ne do ta kujtojmë përherë si njeriun që na mësoi se shërbimi është forma më e lartë e atdhedashurisë,” përfundoi Rama duke i uruar lavdi jetës dhe veprës së Dr. Bujar Bukoshit. /Kosova.info/


Go to TOP