Rama nderon Adem Demaçin: Fjala e tij e lirë më e fortë se çdo dënim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar me nderim të thellë veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Në një mesazh publik, Rama theksoi se Demaçi nuk ishte vetëm një figurë politike, por ndërgjegjja e gjallë e një populli që refuzoi të nënshtrohej.
“Sot kujtojmë me nderim të thellë Adem Demaçin, figurën e ndritur të qëndresës, lirisë dhe dinjitetit. Ai nuk ishte thjesht një veprimtar politik, por ndërgjegjja e gjallë e një populli që refuzoi të nënshtrohej,” tha Rama.
Ai kujtoi se Demaçi qëndroi 28 vjet në burgjet e regjimit jugosllav pa u përkulur asnjëherë dhe se fjala e tij e lirë ishte më e fuqishme se çdo dënim.
“Me jetën dhe veprën e tij, Demaçi na mësoi se liria ka çmim. Se burgjet nuk e thyejnë idealin, dhe se fjala e lirë është më e fuqishme se çdo dënim,” theksoi Rama duke shtuar se Adem Demaçi do të mbetet përherë një busull morale për politikën dhe shoqërinë shqiptare.
“Lavdi jetës dhe veprës së tij! Faleminderit, Bacë, që na dhe shembull,” përfundoi mesazhin e tij kreu i Prishtinës. /Kosova.info/
