Rama: Liria jonë mban emrin e atyre që sakrifikuan gjithçka
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka qëndruar sot në Marec, ku ka zhvilluar një takim përkujtimor me familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se liria që gëzon vendi sot është e lidhur ngushtë me sakrificën sublime të atyre që dhanë jetën për Kosovën.
“Liria që e gëzojmë sot mban emrin e atyre që sakrifikuan gjithçka,” u shpreh Rama gjatë vizitës duke nënvizuar rëndësinë e kujdesit institucional ndaj kategorive të luftës.
Rama tha se qëndrimi pranë familjeve të dëshmorëve nuk është vetëm një obligim moral, por një përgjegjësi e përhershme institucionale.
“Në Marec, pranë familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, u ndalëm për të nderuar këtë sakrificë dhe për të dëgjuar zërin e tyre. Kryeqyteti do të jetë gjithmonë pranë tyre, me respekt, përulësi dhe përkushtim të plotë,” u shpreh ai.
Gjatë vizitës, Rama dëgjoi shqetësimet dhe nevojat e familjeve të kategorive të luftës duke premtuar se nderimi dhe mbështetja e tyre do të mbeten prioritet i tij i pandryshueshëm. /Kosova.info/
