Rama: Kurti po e përdor Skënderajn për manipulim politik dhe përçarje

Përparim Rama ka reaguar ashpër ndaj vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Skënderaj duke e akuzuar atë për manipulim politik, nxitje të përçarjes dhe tensionim të qëllimshëm të situatës në Drenicë.

Rama ka thënë se Skënderaj u përdor si “skenë për manipulimin e radhës politik”, ndërsa ka akuzuar Kurtin se po shfrytëzon institucionet, policinë dhe retorikën politike për të krijuar konfrontim mes qytetarëve.

Ai kritikoi edhe praninë e madhe të forcave policore në Drenicë duke e cilësuar si përpjekje për të projektuar autoritet dhe për të ushqyer “logjikë hakmarrjeje politike”.

Sipas Ramës, etiketimi i kryetarit të Skënderajt me termin “Serbia” është akt i papranueshëm dhe provokues ndaj një treve që ka përjetuar sakrifica të mëdha gjatë luftës.

Në reagimin e tij, Rama tha se tensionimi i situatës dhe përpjekjet për destabilizim politik janë të rrezikshme për paqen sociale dhe për vetë shtetin e Kosovës.

“Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP