Rama: “Konferenca e Investitorëve Amerikan 2026”, moment përcaktues për zhvillimin e Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar se “Konferenca e Investitorëve Amerikan 2026” paraqet një moment të rëndësishëm për orientimin zhvillimor të Kryeqytetit dhe për thellimin e raporteve strategjike me partnerët amerikanë.
Ai ka bërë të ditur se në këtë proces rol të rëndësishëm po luajnë profesionistët e formuar në Shtetet e Bashkuara, të cilët tashmë janë pjesë e Kosovo United States Alumni (KUSA). Sipas Ramës, ekspertiza e tyre po kontribuon drejtpërdrejt në ekipet negociuese me investitorë amerikanë dhe ndërkombëtarë për zhvillimin e 19 projekteve transformuese në Prishtina.
Rama ka shprehur mirënjohje edhe për U.S. Embassy Pristina për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për KUSA për gatishmërinë në këtë iniciativë strategjike.
Ai theksoi se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me KUSA përfaqëson një hap domethënës drejt forcimit të kapaciteteve institucionale, avancimit të proceseve vendimmarrëse dhe integrimit të praktikave më të mira ndërkombëtare në zhvillimin e Kryeqytetit.
Sipas tij, Prishtina po ndërton partneritete të qëndrueshme dhe po pozicionohet si një qytet i hapur ndaj bashkëpunimit, investimeve dhe zhvillimit afatgjatë. /Kosova.info/
