Rama falënderon zjarrfikësit për përballjen me zjarret në Prishtinë: Siguria është përgjegjësi kolektive
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mirënjohje të thellë për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve dhe ekipet e emergjencës të cilët, gjatë 24 orëve të fundit, janë përballur me shpërthime të njëpasnjëshme të zjarreve në disa lagje të Kryeqytetit.
Në një situatë të rënduar nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, ekipet reaguese kanë menaxhuar mbi tetë vatra zjarri në lokacione të ndryshme duke rrezikuar jetën për të mbrojtur qytetarët dhe pronat e tyre.
“Në emër të Kryeqytetit, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë zjarrfikësit e përkushtuar, ekipet drejtuese nën udhëheqjen e Lulzim Fushticës, si dhe qytetarët që po tregojnë solidaritet dhe kujdes në këto ditë të vështira,” ka deklaruar Rama.
Ai ka bërë thirrje të qartë për shmangien e ndezjes së zjarreve në fusha apo zona të hapura dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit qytetar: “Siguria është përgjegjësi kolektive.”
Komuna e Prishtinës po vazhdon monitorimin e situatës përmes strukturave të saj për siguri dhe emergjenca, ndërsa paralajmëron masa shtesë preventive në ditët në vijim për të shmangur rrezikun nga zjarret. /Kosova.info/
