Qeveria ua ndaloi blerjen, gjermanët turr në Poloni për të siguruar fishekzjarrë

Gjermanët po mundohen që ta shmangin vendimin e qeverisë për ndalimin e shitjes së fishekzjarrëve para festimit të Vitit të Ri duke udhëtuar drejt dyqaneve e fabrikave në Poloni.

Vendimi për ndalimin e shitjes së fishekzjarrëve u mor për të dytin vit radhazi në Gjermani në përpjekje për t’i parandaluar tubimet e mëdha gjatë pandemisë dhe për ta lehtësuar trysninë ndaj spitaleve, të cilat rregullisht detyrohen të trajtojnë njerëz me lëndime si djegiet nga aksidentet me mjete piroteknike.

Në një fabrikë fishekzjarrësh në Slubice, në perëndim të Polonisë, afër kufirit me Gjermaninë, njerëzit që kishin udhëtuar nga pjesë të ndryshme të Gjermanisë raportuan se kanë pritur në radhë deri në tri orë këtë javë, shkruan The Guardian.

Një kufizim prej 50 kilogramësh për automjet duhet të respektohet dhe forca shtesë të policisë janë në zonë për të kryer kontrolle të rëndomta, sipas raportimeve të medieve.

Industria e piroteknikës ka thënë se do të marrë hapa ligjorë, duke thënë se është e padrejtë që klientëve t’u lejohet sjellja e fishekzjarrëve nga vendet e huaja dhe duke pretenduar se lëndimet serioze janë “praktikisht të pamundshme”, nëse prodhimet përdoren sipas udhëzimeve.

Go to TOP