Qeveria në detyrë miraton tri vendime: ujësjellës për Leposaviqin, tekste për Luginën dhe 40 mijë euro për inovacionin

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar tri vendime që lidhen me infrastrukturën, arsimin dhe mbështetjen e sektorit të inovacionit.

Në kuadër të mbledhjes është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë, pa kompensim, të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh.A., me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Leposaviqit.

Po ashtu, Qeveria ka ndarë 255,153.45 euro për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që ndjekin mësimin në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë gjatë vitit shkollor 2025/2026.

Në mbështetje të zhvillimit të ekosistemit të inovacionit dhe promovimit ndërkombëtar të Kosovës, është miratuar edhe ndarja e 40 mijë eurove për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital.

Nga kjo shumë, 20 mijë euro do t’i ndahen organizatës FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova, ndërsa 20 mijë euro organizatës Innovation Centre Kosovo (ICK). Qeveria vlerëson se këto iniciativa do të kontribuojnë në forcimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës dhe në rritjen e dukshmërisë së saj në skenën globale të teknologjisë dhe inovacionit. /Kosova.info/

Go to TOP