Nimoni: Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i Ministrisë së Drejtësisë
Zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, Genc Nimoni, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), e organizuar në kuadër të aktiviteteve të “Javës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit”.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Nimoni vlerësoi kontributin e Agjencisë përgjatë dy dekadave në forcimin e integritetit institucional dhe parandalimin e korrupsionit, duke theksuar se ky përvjetor shërben jo vetëm si moment reflektimi mbi arritjet e deritanishme, por edhe si një mundësi për të riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët për ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve më të besueshme, transparente, profesionale dhe në shërbim të qytetarëve.
Tutje, ai theksoi se parandalimi dhe luftimi i korrupsionit mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke nënvizuar reformat ligjore të ndërmarra në këtë drejtim, të cilat jo vetëm që kanë fuqizuar mandatin e Agjencisë, por kanë krijuar edhe bazën për rezultate të prekshme në forcimin e integritetit institucional.
Në këtë kontekst, ai veçoi miratimin e Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, si dhe akteve nënligjore që forcojnë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe mekanizmat e integritetit.
Zëvendësministri Nimoni theksoi gjithashtu se përmes Pakos Ligjore të Reformës në Drejtësi dhe iniciativave të tjera legjislative, përfshirë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, Ministria e Drejtësisë do të ndërtojë instrumente efektive për garantimin e llogaridhënies, integritetit institucional dhe sundimit të ligjit.
Në fjalën e tij, ai tha se asnjë reformë ligjore nuk mund të japë efektin e saj të plotë pa institucione të pavarura dhe profesionale, zbatim të pa kompromis të legjislacionit, integritet institucional dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Në përmbyllje, zëvendësministri Nimoni shprehu mirënjohje për drejtuesit, stafin profesional të Agjencisë, akterët vendorë dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe për të gjithë ata që gjatë këtyre viteve kanë kontribuar në zhvillimin e Agjencisë dhe kanë mbështetur misionin e saj.
Në kuadër të ceremonisë, u ndanë gjithashtu mirënjohje për akterët vendorë e partnerët ndërkombëtarë, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në zhvillimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe avancimin e përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. /Kosova.info/
