Qeveria mban mbledhje elektronike, miraton disa vendime

Në mbledhjen elektronike që qeveria mbajti një ditë më parë bëhet e ditur se u morën disa vendime. Ndër to u miratua nisma për “Amendamentimin e Traktatit Bazë të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Miratim mori edhe vendimi me të cilin nga 1 janari i vitit 2025 shtetasit e Bosnjës dhe Hercegovinës do mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Kosovës sipas Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në këtë mbledhje nga distanca është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.

Gjithashtu u vendos edhe për një tjetër kërkesë për presidenten që gjithashtu të autorizojë ministrin e Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “ Efiçenca e Energjisë në Ndërtesa Publike”.

U aprovua edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për transfer të mjeteve buxhetore e ajo e komunës së Zubin Potokut për aprovimin e Buxhetit pas miratimit të Buxhetit për vitin 2025 nga Kuvendi Komunal.

 Në këtë, mbledhje elektronike u aprovua kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes për rialokim të mjeteve deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht nga kategoria e shpenzimeve e investimeve kapitale.

Aprovim ka marr edhe kërkesa e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  për transfer të mjeteve buxhetore.

Kabineti miratoi edhe vendimin me të cilin Institucionet e Republikës mund të japin me qira ose në shfrytëzim pronat publike për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë nga burimet e ripërtërishme bazuar në një proces të ofertimit konkurrues të organizuar nga Ministria e Ekonomisë.

Go to TOP