Punimet në sheshin ‘Georg Bush’, RTK reagon ndaj Komunës së Prishtinës

Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me punimet e nisura nga Komuna e Prishtinës për rregullimin e sheshit “George Bush”, të cilat pengojnë qasjen e automjeteve zyrtare dhe të punonjësve të RTK-së në ambientet e tyre të punës.

Komuna e Prishtinës nuk ka pasur një konsultim të mirëfilltë paraprak me RTK dhe nuk është marrë parasysh ndikimi i këtyre punimeve në funksionimin e mediumit publik. Menaxhmenti i RTK-së ka kërkuar takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për të diskutuar këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Theksojmë se objektet dhe hapësira ku operon RTK janë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe jo të Komunës së Prishtinës. Prandaj, çdo veprim që kufizon qasjen e lirë të punonjësve dhe automjeteve të RTK-së cenon funksionimin normal të këtij institucioni publik dhe të drejtën e qytetarëve për informim të pandërprerë.

Menaxhmenti i RTK-së kërkon nga Komuna e Prishtinës që të shqyrtojë urgjentisht këtë çështje dhe të gjejë një zgjidhje që do të mundësojë qasjen e lirë të stafit dhe automjeteve të RTK-së në ambientet e tyre të punës, duke garantuar një mjedis pune pa pengesa për mediumin e vetëm publik të Kosovës.

RTK mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, me qëllim që të sigurohet një zgjidhje e drejtë dhe funksionale për të gjitha palët e përfshira.


Go to TOP