Punimet në rrugën “Agim Ramadani” shtyhen për shkak të reshjeve, përfundimi parashikohet më 4 maj

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka njoftuar se për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut gjatë kësaj jave, punimet në rehabilitimin e rrugës “Agim Ramadani” nuk kanë mundur të vazhdojnë sipas planifikimeve.

Siç theksoi Havolli, lagështia e madhe ka pamundësuar nivelizimin e pusetave dhe si rrjedhojë edhe shtrimin e asfaltit, pasi ky proces teknikisht nuk lejohet të kryhet në kushte të lagështa. Uji pengon ngjitjen e shtresave të asfaltit dhe ndikon negativisht në cilësinë e tij duke shkurtuar jetëgjatësinë. Po ashtu, betoni që përdoret për nivelizimin e pusetave nuk mund të përgatitet dhe vendoset në kushte me reshje, pasi ndikohen përzierja dhe tharja e tij, çka e dobëson rezistencën strukturore.

Pavarësisht kësaj, Havolli siguroi se punimet do të rifillojnë sapo të përmirësohen kushtet klimatike. Ato do të zhvillohen gjatë ditëve të vikendit dhe gjatë javës pas orës 19:00, në përputhje me paralajmërimet e mëhershme për të shmangur bllokimin e trafikut në oraret e ngarkuara.

Sipas parashikimeve aktuale, përfundimi i plotë i punimeve në rrugën “Agim Ramadani” pritet të realizohet deri më 4 maj. /Kosova.info/


Go to TOP