Pse po e vonon përgjigjen LDK? Interesat dhe qëndrimet eventuale të tyre

Shkruan: Shenoll MUHARrEMI

Në vijim po tentoj të elaboroj pse LDK nuk po jep menjëherë përgjigje dhe cilat mund të jenë qëndrimet dhe idetë e saj aktualisht. Këto nuk janë pjesë e ndonjë informacioni të brendshëm, por vetëm supozime të bazuara në historikun e saj dhe në pozitën ku ndodhet aktualisht. Ndoshta LDK po e sheh këtë letër si mundësi me i avancuar interesat e tyre në momentin kur po përmenden zgjedhjet e reja.

1. Interesi primar i LDK-së duket se është të mos shkohet në zgjedhje tani. Ky është, ndoshta, edhe qëllimi kryesor i saj. Ata nuk dëshirojnë të ketë zgjedhje të menjëhershme. Gjithashtu, mund të kenë interes që fillimisht të përfundojnë zgjedhjet lokale, e më pas të shkohet në zgjedhje nacionale vitin e ardhshëm. Kjo është një qasje progresive.

2. Bazuar në interesin e përmendur më lart, LDK nuk po ngutet. Përgjigjja dihet cila do të jetë, por jo formulimi i saj. Kjo është një mundësi e mirë për të blerë kohë. Prandaj nuk po jepet përgjigjja menjëherë. Sa më shumë kalon koha, aq më mirë për planin e LDK-së që të mos ketë zgjedhje tani.

3. LDK nuk do të bëhet pjesë e koalicionit me LVV-në. Edhe pse këtë nuk e thotë haptazi, nuk besohet që do të pranojë të hyjë në qeveri me LVV-në.

4. Ndoshta LDK po mendon si të inxhinierojë një situatë ku zhbllokohen institucionet dhe krijohet një qeveri e përkohshme deri në marsin e vitit të ardhshëm. Kjo nënkupton që LDK mund të propozojë një dialog politik që çon drejt një qeverie teknike. Nëse nuk dëshiron të jetë pjesë e qeverisë dhe nëse LVV nuk mund ta formojë qeverinë pa LDK-në, atëherë një nga propozimet e saj mund të jetë një qeveri teknike.

5. Përvojat e kaluara të LDK-së duket se kanë krijuar një lloj frike brenda saj për sa i përket pjesëmarrjes dhe bashkëpunimeve me partitë e tjera. Prandaj ajo duket sikur është ngrirë. Nuk bashkëpunon me askënd dhe preferon të qëndrojë në opozitë. Kjo ndoshta është një lloj ankthi i trashëguar nga e kaluara, i cili duhet të adresohet. Fakti është që LVV është në proces tkurrjeje dhe korrektimi, ndërsa LDK dhe PDK janë në rritje. Rrjedhimisht, ky trend pritet të vazhdojë në shumicën e skenarëve. Sa do të rritet LDK apo PDK, varet nga dinamika dhe lëvizjet e brendshme të secilës parti.

6. LDK nuk duhet të frikësohet as nga zgjedhjet e reja të menjëhershme, e as nga bashkëpunimet me partitë e tjera. Kjo parti duhet të fokusohet te objektivat dhe programet. Nëse hyn në koalicion me LVV-në por e drejton qeverinë, atëherë ajo fiton dhe rritet. Por edhe nëse hyn në koalicion me PDK-në, mund të rritet nëse ofron një program të mirë për Kosovën. Gabimi i mundshëm i LDK-së është nëse qëndron neutrale – nëse e shikon lojën nga tribunat, por nuk bëhet pjesë e saj.

….

Përfundimisht, nuk besoj që do të ketë një koalicion me LVV-në. LDK po blen kohë, dhe interesi i saj mund të jetë që të mos ketë zgjedhje nacionale deri në mars të vitit të ardhshëm. Ata mund të propozojnë një modalitet tjetër ose të nisin një proces të dialogut ndërpartiak që çon te një qeveri e përkohshme teknike deri në zgjedhjet e ardhshme. Me shumë gjasë, ata nuk preferojnë të mbahen zgjedhjet lokale dhe ato nacionale në të njëjtën kohë.


Go to TOP