PSD-ja dorëzon kallëzim penal për pagesën shtesë për vetura

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj së bashku me aktivistë të tjerë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi në lidhje me tenderin për letërngjitësin e veturave.

Molliqaj tha se kjo tiketë është e panevojshme dhe ka konsumim të veprës penale.

“Ne konsiderojmë se kjo tiketë e tillë është e padrejtë dhe e panevojshme. Është zhvatje ndaj të mirave materiale të qytetarëve të Kosovës. Po besojmë që këtu ka pasë konsumim të veprës penale”.

Kurse, aktivisti Dren Kukaj tha se janë dy çështje të cilat e inkrimojnë zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi.

“Në bazë të asaj që është raportuar në media ne kemi bërë analizimin e gjithë dokumentacionit që është raportuar karshi kësaj marrëveshje dhe edhe vetë marrëveshjen dhe kemi parë që janë dy çështje të cilat inkrimojnë Hysen Durmishin”.

“Një ditë para nënshkrimit e kemi një vendim i cili është përpiluar në kundërshtim edhe me Ligjin e Përgjithshëm të Procedurës Administrative në kuptimin që nuk ka këshillë juridike dhe të nesërmen është nënshkruar marrëveshja”.

“Si çështje e dytë më e rëndësishme është vetë marrëveshja dhe përmbajtja e marrëveshjes për shkak se duket se është komplet e panevojshme, sepse qytetarët detyrohen të paguajnë për një tiketë ngjitëse e cila është edhe diskutabile se a duhet të vendoset apo jo sepse aktualisht organet e vendit e kanë mundësinë për të verifikuar se a janë mjetet motorike të regjistruara apo jo. Edhe nëse duhej të ishte e domosdoshme që kjo tiketë të ekzistonte ajo nuk duhej të bëhej në çmimin që është aranzhuar në këtë marrëveshje, sepse përmes kësaj marrëveshje është krijuar një monopol abuziv karshi interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës që janë pronarë të mjeteve motorike dhe me ligj janë të obliguar të bëjnë regjistrimin e tyre”

Go to TOP