Ademi: Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve madhore në futboll

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur bindjen se Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve më të mëdha të futbollit botëror, duke theksuar se puna, përkushtimi dhe talenti i futbollistëve kosovarë po japin rezultatet e para konkrete.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka bërë të ditur se me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, po qëndron në Meksikë për të ndjekur ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. 

Ai ka kujtuar se ndodhet në një qytet me simbolikë të veçantë për futbollin kosovar, aty ku para dhjetë vjetësh Kosova u pranua në familjen botërore të futbollit.

“Besoj fuqishëm se me punën, përkushtimin dhe talentin që kanë djemtë dhe vajzat tona, edhe Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve të tilla madhore të futbollit botëror”, ka shkruar Ademi.

Kreu i FFK-së ka përgëzuar kombëtaren e Kosovës në kategorinë e vajzave për sigurimin e pjesëmarrjes në “play off” për Botërorin 2027, duke e cilësuar këtë sukses si një arritje që e bën krenar gjithë futbollin kosovar.

Ademi ka theksuar se strategjia dhe projektet zhvillimore të Federatës së Futbollit të Kosovës po zbatohen me sukses dhe tashmë po japin rezultatet e para, si në futbollin e femrave ashtu edhe në zhvillimin e talenteve të rinj.

Sipas tij, Akademia e FIFA-s në Prishtinë, e para e këtij lloji në Ballkan, po jep frytet e saj, duke u ofruar futbollistëve të rinj kushtet dhe përgatitjen më të mirë profesionale nën mbikëqyrjen e ekspertëve të FIFA-s dhe stafit teknik të FFK-së.

Ademi ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrë pjesë edhe në Samitin e FIFA-s që do të mbahet në Miami, ku pritet të diskutohen çështje të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në nivel global.

Go to TOP