KQZ: Vazhdon numërimi i votave, mbi 85 mijë pako postare për verifikim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pas ditës së zgjedhjeve po vazhdojnë aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 7 qershor 2026.

Sipas KQZ-së, në Qendrat Komunale të Numërimit është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.

Deri më tani, procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 22 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa nga 2,498 vendvotime gjithsej, një pjesë ende është në proces të përpunimit.

KQZ ka bërë të ditur se disa QKN do ta përmbyllin procesin deri në fund të ditës, ndërsa komunat me numër më të madh vendvotimesh, si Prishtina dhe Prizreni, pritet të kërkojnë më shumë kohë për përfundimin e numërimit.

Në Prishtinë janë 262 vendvotime, ndërsa në Prizren 232.

Përveç numërimit në nivel komunal, në QNR është duke vazhduar edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përmes postës.

Sipas KQZ-së, nga 23 kutitë postare janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat po i nënshtrohen verifikimit për të konfirmuar nëse janë dërguar nga votuesit e regjistruar.

Sa i përket procesit të përgjithshëm, ende nuk janë numëruar fletëvotimet nga disa kategori të votimit, përfshirë votimin në përfaqësi diplomatike, votimin me postë, votimin me kusht dhe votimin e personave me nevoja të veçanta.

Sipas KQZ-së, përpara numërimit të këtyre votave po ndërmerren disa hapa verifikues, përfshirë skanimin e listave të votuesve dhe krahasimin e të dhënave për të parandaluar votimin e dyfishtë.

Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/

Go to TOP