Protestë masive në Beograd, tensione dhe arrestime pas tubimit

Mijëra studentë dhe qytetarë nga e gjithë Serbia u mblodhën në Sheshin”Slavija” në Beograd në protestën “Studentët fitojnë”, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, qeverisje të ndershme dhe fund të korrupsionit. Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, ku u arrestuan disa persona.

“Zgjedhja është e jona “,  “ose Serbia, ose mafia”. Kjo ishte një nga mesazhet kryesore të protestës së mbajtur në Beograd, ku studentë dhe qytetarë nga e gjithë Serbia u mblodhën në Sheshin “Slavija” nën sloganin “Studentët fitojnë”.

Studentët, të cilët kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, prezantuan një pjesë të programit të tyre politik, duke kërkuar qeverisje të ndershme, liri dhe jetë dinjitoze.

 Mijëra qytetarë nga pjesë të ndryshme të Serbisë morën pjesë në protestë për t’i mbështetur.

 “Ne vazhdojmë të luftojmë për të njëjtat kërkesa si gjatë gjithë muajve të kaluar. Protestat studentore vazhdojnë dhe ne mbetemi të bashkuar”.

“Situata politike në vend është vazhdimisht e paqëndrueshme. Nuk mund ta dimë çfarë të presim, por do të jemi të përgatitur”, thonë studentët.

 Qytetarët “Pres që Serbia të bëhet një shoqëri normale dhe demokratike, e bazuar në sundimin e ligjit, dhe që më në fund të bëhemi pjesë e një bashkësie evropiane të civilizuar”.

“Korrupsioni ka bllokuar të gjitha rrjedhat normale të jetës. Kjo është pasojë e 14 viteve të qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit. Shpresojmë që kjo energji e të rinjve të sjellë ndryshime reale”, thonë qytetarët.

 Pas përfundimit të protestës pati incidente dhe u arrestuan disa persona pas përplasjeve me policinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq deklaroi se dikush po provokonte qëllimisht përplasje për të krijuar kaos dhe tha se policia ndërhyri pasi ishte sulmuar. Sipas tij, janë ndaluar 47 persona dhe janë lënduar 17 policë.

Nga ana tjetër, opozita akuzoi pushtetin për organizimin e incidenteve me qëllim komprometimin e protestës dhe revoltës qytetare. Edhe studentët deklaruan se dhjetëra persona janë rrahur dhe arrestuar, ndërsa disa kanë pësuar lëndime të rënda. Protesta e para e madhe në këtë vit konsiderohet vazhdim i demonstratave që nisën pas tragjedisë në Novi Sad në fund të vitit 2024 dhe që u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq.


Go to TOP