Prokuroria për rastin e mbrëmshëm: Motivet nuk dihen, do të kërkohet caktimi i masës së sigurisë ndaj të dyshuarit
Prokuroria ka lëshuar një komunikatë lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku dyshohet se një vëlla ka therur për vdekje vëllanë e tij me thikë.
“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, së bashku me hetuesit policorë, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Me urdhër të prokurorit të shtetit, Policia e Kosovës ka siguruar vendin e ngjarjes, dhe trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Rasti po hetohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,” dhe i dyshuari është ndaluar.
“Rasti penal është hapur për ‘Vrasje të rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Me vendim të prokurorit, një person është ndaluar.”
Prokuroria shton se motivet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten të panjohura për momentin, por pritet të sqarohen gjatë hetimeve që do të kryhen.
Gjithashtu, Prokuroria do të kërkojë caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.
