Prokuroria kërkon paraburgim për dy persona në Ferizaj, dyshohet se kanë fshirë pamjet e një përleshjeje me armë
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për dy të pandehurit, E.A. dhe R.S., nga komuna e Ferizajt, njofton Kosova.info.
Të dy janë ndaluar që nga data 28 tetor 2025 me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimet për veprat penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se i pandehuri E.A., më 21 korrik 2025, në fshatin Doganaj, ka ndihmuar disa persona të përfshirë në një konflikt të armatosur duke fshirë incizimet nga kamerat e sigurisë të marketit që menaxhonte. Pamjet përfshinin momentin kur të dyshuarit ishin takuar para marketit, pak para përleshjes me armë, në të cilën dy persona kishin mbetur të plagosur rëndë.
Ndërsa për të pandehurin R.S., Prokuroria thotë se ka dyshime të bazuara se më 27 korrik e ka nxitur E.A.-në që të fshijë incizimet, me qëllim që të pengohej përdorimi i tyre si prova në procedurën penale kundër personave të përfshirë në rrahje dhe gjuajtje me armë.
Prokuroria ka bërë të ditur se kërkesa për paraburgim është bërë për të siguruar rrjedhën e hetimeve dhe për të shmangur ndikimin në prova apo dëshmitarë./Kosova.info/
