Prokuroria e Pejës deklarohet rreth lirimit nga paraburgimi të dyshuarit për sulm seksual ndaj Mrika Nikqit

Personi i dyshuar për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi është liruar sot nga paraburgimi.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se lidhur me rastin Prokuroria ka ngritur aktakuzë, të cilën e ka dorëzuar në Gjykatë.

Ai ka thënë lidhur me çështjen e paraburgimit Prokuroria e ka njoftuar Gjykatën ashtu që pas ngritjes së aktakuzës është në vlerësimin e Gjykatës zgjatja e paraburgimit.

“Prokuroria brenda afatit kohor ka ngritur aktakuzën të cilën e ka dorëzuar në Gjykatë dhe lidhur me çështjen e paraburgimit e ka njoftuar Gjykatën, ashtu që pas ngritjes së aktakuzës është në vlerësimin e Gjykatës zgjatja e paraburgimit”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Tutje Nikçi ka thënë se Prokuroria intensivisht ka zhvilluar hetimet gjatë kohës sa i pandehuri ka qenë në paraburgim.

“Me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, i pandehuri F.B. ka qëndruar në paraburgim dy muaj. Kërkesa për paraburgim ka qenë e bazuar në tri pika: I pandehuri nëse gjendet në liri mund të pengojë procesin hetimor duke ndikuar në dëshmitarë, ta përsërisë veprën penale apo të arratiset. Prokuroria intensivisht ka zhvilluar hetimet gjatë kohës sa i pandehuri ka qenë nen masën paraburgimit”, ka shtuar Nikçi.

Zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti, ka konfirmuar se i dyshuari është liruar sot nga paraburgimi, por ndaj tij është ngritur aktakuzë.

Go to TOP