Projektbuxheti 2026 kalon në njërin nga komisionet parlamentare

Me 6 vota “për”, 0 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, miratoi projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Nënkryetari Artan Behrami kritikoi procedurën e përshpejtuar, duke thënë se shmangia e buxhetit në Kuvend ka kufizuar hapësirën për analizë dhe vërejtje përmbajtësore.

Ai theksoi mungesën e dëgjimeve me organizatat që preken nga buxheti dhe paralajmëroi amendamente.

Armend Zemaj vuri në dyshim bazën procedurale të mbledhjes, duke e cilësuar situatën “pa përmbajtje”.

Sipas tij, ligji ka kaluar leximin e parë dhe komisioni ndodhet mes dy leximeve, por pa amendamente apo material për votim.

Sala Jashari kërkoi bashkëpunim për një amendament që do të rriste pensionet e veteranëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara, të cilat mbeten 170–180 euro, ndërsa paga minimale është 425 euro.

Albana Bytyqi propozoi amendament për personat me autizëm, të cilët, sipas saj, nuk përfitojnë asistencë sociale.

Salih Zyba këmbënguli se komisioni duhet të shqyrtojë vetëm buxhetin sipas rendit të ditës, pa tejkaluar afatet.

Ai mbështeti kalimin e buxhetit, duke theksuar se ndryshimet ligjore duhet të ndahen nga procesi buxhetor.

Pika e rendit të ditës ishte: Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Go to TOP