Procesi drejt fundit, thirrje qytetarëve: Regjistrohuni të gjithë!

Mbi 1.2 milionë qytetarë janë regjistruar deri më 7 maj, ndërkohë që kanë mbetur edhe 7 ditë deri në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë. Kështu ka deklaruar Hazbije Qeriqi, zyrtare e lartë për Komunikim me Publikun në Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ndërkohë, qytetarët që janë regjistruar thonë se ishte një proces i thjeshtë dhe e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm.

Bajram Fazliu, qytetar i Prishtinës, tashmë është regjistruar si banor rezident i Kosovës. Ai thotë se procesi i regjistrimit për të ka shkuar në rregull dhe nuk ka hasur në ndonjë vështirësi gjatë zhvillimit të këtij procesi.

“Regjistrimi ka shkuar shumë në rregull. Duhet të regjistrohen të gjithë qytetarët. Një shtet ku nuk dihet sa banorë i ka, atëherë është shtet i pakompletuar”, tha Fazliu.

Shaqir Begu, një tjetër qytetar i Prishtinës, tregoi se procesin e regjistrimit e ka bërë pa telashe, ndërsa ka treguar se fëmijët e tij që ndodhen jashtë kanë vendosur ta bëjnë vetë regjistrimin, përmes platformës online.

“Unë fëmijët i kam jashtë vendit dhe kam biseduar paraprakisht se si t’ia bëjmë me regjistrimin. Ata kanë shprehur vullnet që ta kryejnë vetë personalisht këtë proces përmes platformës online”, tha Begu.

Personat të cilët janë duke jetuar në diasporë i kanë dy mundësi për t’u regjistruar: përmes familjarëve të tyre (Formulari S1) dhe përmes platformës online “eDiaspora”.

Zyrtarja e ASK-së, Hazbije Qeriqi,  në një përgjigje me shkrim për RTKlive, thotë se procesi i regjistrimit të Popullsisë është duke shkuar mirë dhe se regjistruesit e mbikëqyrësit janë në terren. Ajo thekson se regjistrimi i popullsisë është një proces shumë kompleks, por që jep informata thelbësore nga niveli lokal deri te ai qendror, për qëllime statistikore, e që janë të rëndësishme në planifikimin e hapave për të ardhmen e vendit.

“Informacionet të cilat mblidhen në regjistrimin e popullsisë janë të rëndësishme për institucionet qendrore, si Presidencën, Kuvendin, Ministritë, Agjencitë, por edhe për institucionet e nivelit lokal (komunat e vendbanimet) për ndërmarrjen e hapave e masave mbështetëse, për investime, për strategji e analiza të ndryshme”, ka theksuar Qeriqi.

Ajo tutje ka thënë se të dhënat nga regjistrimi i popullsisë e ndihmojnë edhe Akademinë e Shkencave, si dhe universitetet për analiza e hulumtime shkencore.

Sa i përket regjistrimit të qytetarëve serbë, Qeriqi e ka pranuar se procesi ka shkuar më ngadalë, veçmas në komunat veriore, por ka thënë se ata kanë filluar të regjistrohen.

“Procesi me regjistrimin qytetarëve serbë po shkon më ngadalë, por e rëndësishme është se edhe ata janë duke u regjistruar”, ka shtuar Qeriqi.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje sërish për regjistrim të të gjithë qytetarëve. Ai iu ka bërë thirrje edhe qytetarëve serbë që t’i përgjigjen këtij procesi.

Kujtojmë se në Kosovë, regjistrimi i popullsisë për herë të fundit është bërë në vitin 2011, ku sipas këtij regjistrimi numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milionë, prej të cilëve rreth 25 mijë janë serbë. Ky proces ka pasur të zhvillohet në vitin 2021, por ai ishte shtyrë për shkak të pandemisë “Covid19”, derisa vitin e kaluar është shtyrë për shkak të përgatitjeve më të mira.

Go to TOP