Prizreni synon bashkëpunim me Japoninë në shëndetësi, ekonomi dhe turizëm
Komuna e Prizrenit pret të rrisë bashkëpunimin me shtetin japonez në turizëm, shëndetësi dhe ekonomi. Këto tema u biseduan gjatë një takimi mes të ngarkuarit me punë të Ambasadës japoneze, Hiroyasu Tanigaki, dhe kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Komuna e Prizrenit do ta vazhdojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme me qeverinë japoneze. Këtë e konfirmoi i ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, gjatë një vizite që i bëri komunës.
“Ne kemi histori të gjatë bashkëpunimi mes Japonisë dhe komunës së Prizrenit. Shpresoj që mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë së bashku, në forcimin e miqësisë që e kemi mes popullatës japoneze dhe asaj të Kosovës. Biseduam për mundësi bashkëpunimi edhe në të ardhmen”, tha Hiroyasu Tanigaki, Ambasador i Japonisë në Kosovë.
Bashkëpunimi mes dy vendeve mund të fokusohet në disa fusha, tha kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
“Biseduam edhe për mundësinë që këta të na ndihmojnë të pajisim me mjete të punës apo mjete medicinale Qendrën e Mjekësisë Familjare, e cila është në përfundim e sipër. Biseduam gjithashtu për arritjen eventuale të një delegacioni japonez, i cili do të vijë në Prizren dhe do të komunikojë me komitetin e biznesit të Prizrenit, për të parë mundësinë si mund të bashkëpunojmë më tepër”m theksoi Totaj.
Përveç në shëndetësi dhe biznes, me Japoninë do të shikohet edhe mundësia e bashkëpunimit në ekonomi dhe turizëm.
