Prizrenasit e presin 2025-ën me atmosferë festive, mbushin qytetin
Prizrenasit e mirëpritën ndërrimin e viteve me urime për shëndet, suksese dhe mbarësi, ndërsa atmosfera festive në sheshin e Lidhjes së Prizrenit dhe prania e vizitorëve nga Shqipëria e bënë festën edhe më të bukur.
Prizrenasit tradicionalisht ndërrimin e viteve e presin me familjarët e tyre në shtëpi, ndërsa vetëm rreth orës 24 fillojnë ta mbushin sheshin Shatërvan. Për ta, viti 2024 ka qenë relativisht i mirë. Urimi kryesor për vitin 2025 ka qenë: shëndet dhe suksese në çdo fushë.
“Viti 2024 ka qenë me sfida të mëdha, por mirë i kemi kaluar. Shpresoj që edhe në vitin 2025 të kemi më shumë suksese dhe një jetë më të bukur në Kosovë”, tha Rafet Elezi.
Fetah Gigollaj tha se për vitin 2025 e ka bërë programin që të vazhdoi projektet me objektivat që ka në jetë.
“Me qenë të shëndetshëm është gjëja kryesore. Popullatës i uroj suksese të reja në vitin 2025, shëndet dhe punë të mbarë”, theksoi Fadil Braha.
Për shkak të situatës së krijuar me furnizimin me energji elektrike, banorët u lutën që kjo gjendje të mos përsëritet në vitin e ri 2025.
“Shpresojmë që të jetë vit më i mbarë. Ky vit ka qenë katastrofë sidomos me rrymën, sidomos në këtë kohë, a thua kanë ardhur këta nga jashtë”, tha Afërdita Bata.
Në Prizren për ta pritur Vitin e Ri pati edhe mysafirë nga Shqipëria.
“Kemi kaluar në përgjithësi mirë dhe presim më mirë vitin tjetër, vetëm të kemi familjet mirë, të tjerat vijnë me radhë. Vijmë shpesh në Prizren, por këtë herë kemi ardhur posaçërisht për Vitin e Ri. Kemi njerëz këtu dhe janë të mrekullueshëm”, theksuan Lumnije Brija dhe Shpëtim Brija.
Komuna organizoi gjithashtu koncertin në sheshin e Lidhjes së Prizrenit, ku atmosfera festive vazhdoi deri në orët e mëngjesit. Atmosfera festive në Prizren zgjati deri në orët e para të mëngjesit.
