Pritjet e gjata të ukrainasve në kufirin me Rusinë

Në zonën neutrale midis pikave të kontrollit të Estonisë dhe Rusisë, në Luhamaa më 21 qershor, dhjetëra persona me pasaporta ukrainase mund të shiheshin duke pritur në diell ndërsa automjetet kalonin pranë.

Ukrainasit thonë se kanë duruar për ditë të tëra në diellin e verës dhe netët e mbushura nga mushkonjat, ndërsa mbajtësit e tjerë të pasaportave janë futur atje.

Njerëzit duke pritur të hyjnë në pikën kufitare ruse më 21 qershor.
Njerëzit duke pritur të hyjnë në pikën kufitare ruse më 21 qershor.

“Shiko, krahët dhe këmbët e mia janë djegur nga dielli”, tha një grua e quajtur Maria. “Për dy ditë kam qenë këtu.”

Maria shpreson të udhëtojë nga kufiri afër Pskovit për në Mariupolin e pushtuar nga Rusia. Qyteti juglindor i Ukrainës u shkatërrua kryesisht nga pushtimi rus, por apartamenti i saj, tha Maria, duket se ka mbijetuar, i paprekur.

Një fotografi nga arkivi që tregon pikën e kalimit kufitar Luhamaa midis Estonisë dhe Rusisë. Një kilometër zonë neutral shtrihet midis dy pikave kufitare.
Një fotografi nga arkivi që tregon pikën e kalimit kufitar Luhamaa midis Estonisë dhe Rusisë. Një kilometër zonë neutral shtrihet midis dy pikave kufitare.

Viktoria, një ukrainase që shkon në Ukrainën lindore, shpjegon se me të gjitha pikat kufitare midis Rusisë dhe Ukrainës të mbyllura, “ne udhëtojmë në një rreth të madh nëpër Bashkimin Evropian.

“Dhe, ne kemi kaq shumë njerëz që udhëtojnë”, thotë Viktoria. “Ne arrijmë në kufi [Estonio-Rusi] me autobus, presim këtu për dy ose tri ditë, pastaj kalojmë, marrim një autobus tjetër dhe shkojmë në Donjeck.

Sipas Viktorias, “Nuk ka mundësi të tjera. Disa njerëz i vizitojnë fëmijët ose nipërit e mbesat e tyre. Të tjerë udhëtojnë për t’i vizituar prindërit e sëmurë. Për sa kohë që njerëzit janë mjaft të shëndetshëm, ata do të udhëtojnë”, thotë ajo.

Ukrainasit duke pritur në tokë të askujt më 21 qershor.
Ukrainasit duke pritur në tokë të askujt më 21 qershor.

Olga, 62 vjeçe, gjithashtu shpreson të arrijë në Mariupol.

“Shtëpia ime është rrënuar dhe gjithçka çka kishte mbetur, është plaçkitur. Unë po shkoj atje vetëm për të mbledhur disa dokumente”, tha ajo, duke shtuar: “Mund të jetë e mundur të marrësh një formë strehimi, megjithëse kam dëgjuar se vetëm bashkëpunëtorëve u jepet strehim dhe kushdo që është kundër pushtimit nuk merr asgjë”.

Kohët e fundit, thonë ukrainasit, një gruaje të moshuar i ra të fikët teksa priste në vapën e verës. Që atëherë, rojet kufitare ruse kanë bërë kontrolle më të shpejta për ukrainasit mbi 65 vjeç dhe prindërit me fëmijë të vegjël.

Për pjesën tjetër, radha është praktikisht e palëvizshme, me vetëm disa njerëz që kalojnë çdo disa orësh.

Redaktorët e North.Realities të Radios Evropa e Lirë, një media rajonale e lajmeve të Shërbimit Rus të RFE/RL-së, dërguan pyetje tek autoritetet kufitare ruse se çfarë po i shkakton vonesat masive për mbajtësit e pasaportave ukrainase. Mirëpo, deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Njerëzit duke plotësuar formularët brenda postës kufitare ruse.
Njerëzit duke plotësuar formularët brenda postës kufitare ruse.

Pas pritjes prej disa ditësh në qiell të hapur, ukrainasit futen në objektin kufitar rus për t’i plotësuar pyetësorët të ndjekur ku presin edhe nga disa orë më shumë. Formularët kërkojnë të dhëna personale, si: nga ka ardhur dhe ku do të shkojë personi, si dhe mendime personale për tema të tilla si politikat e Qeverisë ukrainase.

Pason një intervistë personale që mund të zgjasë deri në një orë. Një i ri pretendon se rojet kufitare ruse gjetën kontakte të fshira nga telefoni i tij dhe filluan t’i telefononin për të zbuluar se me kë po fliste dhe për çfarë.

Anya, një grua ukrainase, po udhëton me dy djemtë e saj, njëri prej të cilëve është më i ri se dy vjeç. Edhe pse ata u futën më shpejt në postbllokun rus, Anya dhe djemtë e saj kaluan një ditë e një natë duke pritur brenda objektit para se të lejoheshin brenda.

Më herët gjatë luftës, burri i Anyas u evakuua nga zona e luftës në Ukrainë për në qytetin rus të Rostovit. Ajo dhe djemtë e saj ikën të sigurt në Bashkimin Evropian dhe ajo tha: “Fëmijët po rriteshin pa baba. Kjo është arsyeja pse ne po shkojmë. Mund të jetoj në Rusi. Unë nuk ndiej ndonjë armiqësi”.

Njerëzit duke pritur brenda objektit kufitar rus më 21 qershor.
Njerëzit duke pritur brenda objektit kufitar rus më 21 qershor.

Vullnetarët në anën ruse dhe estoneze të kufirit nuk janë në gjendje të hyjnë në territorin neutral, por ofrojnë ndihmë ku të munden.

Elena, një vullnetare humanitare nga pala ruse, tha se situata është e ngjashme në të pesë pikat e kontrollit kufitar nga territori i BE-së në rajonin Pskov të Rusisë. Ajo tha se ushqimi dhe uji dërgohen në zonat neutrale ku presin ukrainasit, kryesisht duke u kërkuar kamionistëve që ta bartin atë përmes kufirit.

“Por, ne ende duhet të gjejmë dikë që mund ta kalojë atë”, tha ajo.

Një autobus brenda Rusisë që shkon në rajonin e Donjeckut të okupuar të Ukrainës.
Një autobus brenda Rusisë që shkon në rajonin e Donjeckut të okupuar të Ukrainës.

Elena tha:

“Nuk është e qartë se kush do të arrestohet dhe kush do të lejohet. Në përgjithësi, burrat i mbajnë më gjatë kur i marrin në pyetje”.

“Kishte një rast kur një i ri u mbajt në qeli për gjashtë ditë”, theksoi Elena. “Pastaj [rojet kufitare ruse] thjesht i dhanë pak çaj dhe e lanë të ikte. Të gjithë e kuptojnë se ky është kaos, por askush nuk mund të ndikojë në këtë situatë”.

Go to TOP