Prishtinës nuk iu ndërtua spitali për 4 vjet: 21 premtimet që nuk gjetën zbatim nga Shpend Ahmeti

Nga gjithsej 81 premtime të dhëna nga kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, 21 nga to nuk kanë filluar që të zbatohen prej se ka marrë mandatin që nga viti 2017.

Sipas Institutit GAP, në mesin e premtimeve të pafilluara nga kryetari Ahmeti janë funksionalizimi i Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës, riciklimi i mbeturinave, ndërtimi i një stacioni të ri të autobusëve dhe vazhdimi i mësimit gjithë-ditor në disa shkolla të Prishtinës.

Duke iu referuar të dhënave të këtij instituti, të përditësuara përpara dy muajsh, në fushën e administratës Ahmeti ka përmbushur 6 nga 7 premtimet e dhëna përgjatë fushatës elektorale të vitit 2016. Një nga premtimet që nuk ia ka filluar fare përgjatë mandatit të Ahmetit është “Ofrimi i kartelës se komunës për qytetarët “Prishtina Card” për pagesa në shëndetësi, administratë dhe “Prishtina parking””.

Tek fusha e arsimit në Prishtinë, Ahmeti nuk ia ka nisur zbatimit të projektit për mësimin gjithë-ditor në disa nga shkollat e Prishtinës, të cilën e pati premtuar përgjatë fushatës elektorale të 2017’ës.

Në rrafshin e ekonomisë, premtimin e vetëm që e pati dhënë për formimin e Odës Ekonomike të bizneseve të Prishtinës nuk e pati filluar përgjatë këtyre 4 viteve mandat si kryetar i Prishtinës.

Ndërkaq, në aspektin infrastrukturor, kryetari aktual i Prishtinës nuk ia ka filluar pesë nga 21 premtimeve të dhëna.

Në rrafshin e Kulturës, Ahmeti nuk ka filluar punët për funksionalizimin e Galerisë së Prishtinës, sikurse ishte premtuar nga ai.

Ndërkaq, tek shërbimet publike, nga 23 premtimet e dhëna, 9 nga to përgjatë periudhës së Ahmetit nuk janë jetësuar, e as nuk është ndarë buxhet për to. Në këto premtime të papërmbushura përfshihen riciklimi i mbeturinave, stacioni i ri i autobusëve dhe ndalimi i qarkullimit të automjeteve në parkun e Gërmisë.

Në premtimet urbanistike kryetari që qeverisi kryeqytetin për tetë vite nuk ia filloi master planit për ndërlidhjen e rajonit të Gollakut dhe Orllanit, për të cilën tha se do shfrytëzohej për qëllime turistike.

Një nga sfidat kryesore me cilën do të përballet kryetari i ardhshëm i kryeqytetit do të jetë ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, së cilit nuk iu është caktuar lokacioni e as nuk kanë filluar punimet për të.

Go to TOP