Prishtinasit kërkojnë shtrirje më të gjerë të pika shitjeve për biletat mujore të transportit urban

Qytetarët e Prishtinës janë duke shprehur shqetësime për mungesën e pikave të shitjes së biletave mujore në disa zona kryesore të qytetit. Kërkesat për më shumë pika të tilla janë shtuar, sidomos pasi disa prej pikave ekzistuese fundjavëve nuk punojnë ose janë larg nga vendbanimet e qytetarëve. Për të rinovuar biletën mujore, udhëtarët detyrohen të lëvizin në pika të tjera, shpesh të largëta, çka u shkakton vonesa dhe vështirësi në përditshmëri.

Mentori, një banor në lagjen “Mati 1”, tregon për vështirësinë e tij këtë të shtunë.

“Pasi u drejtova për në pikën më të afërt, në Breg të Diellit, ku rinovoj zakonisht biletën mujore, e gjeta të mbyllur dhe u detyrova të shkoj deri te Plepat. Kjo më mori kohë të panevojshme dhe më vonoi planin për ditën,” shprehet ai.

Shpresa, e cila banon në “Dardania,” gjithashtu ankohet për mungesën e lehtësive.

“Dua që të ketë më shumë pika pranë nesh. Kur një pikë mbyllet, nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të shkojmë larg për të rinovuar biletën, që është e papërshtatshme sidomos për të moshuarit dhe fëmijët,” thotë ajo.

Ndërsa Besniku, student në Universitetin e Prishtinës, ndan një shqetësim të ngjashëm.

“Duke qenë se nuk kam gjithmonë kohë të mjaftueshme, një rrjet më i gjerë pikash do të na lehtësonte shumë neve që lëvizim me autobus çdo ditë. Kjo është një çështje që duhet zgjidhur sa më parë,” përfundon ai.

Qytetarët e Prishtinës u bëjnë thirrje autoriteteve komunale për një zgjidhje të shpejtë të kësaj problematike, duke kërkuar vendosjen e më shumë pikave të shitjes për biletat mujore në të gjitha lagjet kryesore të qytetit.

E nga komuna dhe Trafiku Urban, kanë thënë se, veç janë duke punuar në këtë drejtim. /Kosova.info/

Go to TOP