Prishtina
Shkruan: Pal ShTUFI
Nuk është si qytetet e tjera. Ajo dallon dukshëm nga të tjerat. Edhe për një “të huaj” nga viset e tjera të Kosovës, Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut, ndjesia si përjetohet Prishtina, është ndryshe.
Është qytet i integrimeve të shpejta. Nuk ka pasur dhe as që ka barriera të rënda për ardhacakët. Të mirët, punëtorët dhe ata që absorbonin qytetërimin, Prishtina i ka përqafuar me shpejtësi – pa marrë parasysh nëse janë nga Drenica, Llapi, Gallapi, Ulqini apo Tetova. Bahkë me ta është bërë Prishtina. Kjo histori nis që nga fundi i viteve ’60 të shekullit XX, kur etja për shtetndërtim, kulturë, dije dhe qytetërim ishte pjesë e përditshmërisë në Prishtinë dhe gjithandej Kosovës.
Për shumëkënd, Prishtina ka qenë Parisi ose Londra e atyre që kërkonin fatin apo një çati brenda saj. Këtu lëshonim shtat intelektual ose qytetar, sidomos ne ruralët që ia mësynim Prishtinës.
Personalisht, në Prishtinë kurrë nuk jam ndje i diskriminuar. Përkundrazi, shpesh kam përjetuar diskriminim pozitiv. Në Prishtinë e pata ndje përlindjen time, që në vitin 1987.
Pas vitit 1999
Edhe pas çlirimit, kur Prishtina u vërshua nga të gjitha anët e Kosovës, ajo arriti të ruajë prushin e gjallë të qytetërimit, ndonëse shpeshherë sulmohej, pavetëdijshëm, nga ata që kishin dalë të shkrumbuar nga lufta. Sulmet ndaj saj ishin të rënda dhe të vazhdueshme.
Prishtina nuk pati fatin të drejtohej nga një qeveri lokale që të ishte në një vijë partiake me qeverinë qendrore, prandaj mbi të u përplasën ashpër shpatat e antagonizmave politike. Edhe sot e kësaj dite i vuan pasojat e tyre. E megjithatë, ajo vazhdon të japë dashuri për të gjithë – deri në ditën e mirëkuptimit përfundimtar!
Armend Rexhepagiqi mbrëmë ishte në element. Bëri një spektakël që i duhej Prishtinës. Tregoi që i ka mbetur besnik vetës dhe Prishtinës së tij. Tregoi se qytetërimi evropian nuk do të shuhet kurrë në Prishtinë. Kështu na mësonte në fakultet edhe babai i tij, Jashar Rexhepagiq – njeri i shkencës dhe kulturës kulmore.
Të gjithë ia kemi borxh mirënjohjen Prishtinës![]()
