Prishtina përballë një zgjedhjeje vendimtare
Shkruan: Skënder ShEHU
Zgjedhjet e ardhshme lokale do të jenë veçanërisht të rëndësishme për kryeqytetin, Prishtinën. Pa dyshim, gara në këtë komunë do të jetë më e nxehta dhe më e ndjekura nga publiku. Megjithatë, në këtë garë, unë shoh si favorit për një mandat të dytë z. Përparim Rama.
Arsyeja kryesore është vizioni i tij për transformimin e Prishtinës, projektet e realizuara dhe ato që janë në proces e sipër. Përkundër sfidave dhe bllokadave të shumta politike, puna e tij ka qenë e dukshme dhe konkrete.
Një nga kundërkandidatët e tij është ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje – i njohur për bllokimin politik të disa projekteve të rëndësishme në Prishtinë gjatë mandatit të tij si ministër. Këto veprime janë parë si pengesa të qëllimshme ndaj kryetarit aktual dhe janë të njohura për qytetarët prishtinas.
Kundërkandidati tjetër, z. Uran Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës, ka pasur probleme të tjera në të kaluarën. Përmendja e lokalit të tij si vend ku ndodhin incidente të rënda kriminale, si dhe përpjekjet për të ndikuar negativisht në funksionimin e ndërmarrjeve publike si “Pastrimi”, hedhin hije serioze mbi kandidaturën e tij dhe mbi etikën e menaxhimit politik.
Duke marrë parasysh këto fakte, besoj se qytetarët e Prishtinës do t’i japin sërish besimin e tyre Përparim Ramës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të çuar përpara projektet e nisura dhe për të siguruar një qeverisje të qëndrueshme dhe të zhvilluar për kryeqytetin.
