Prishtina në qendër të Evropës Rinore
Mbi 40 përfaqësues nga vendet anëtare të Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), janë mbledhur në Prishtinë për Konferencën e 41-të Ndërkombëtare të kësaj organizate, e cila për herë të parë mbahet në Kosovë.
Drejtori i EYCA-së, Manel Sanchez, tha se kjo konferencë është ndër ngjarjet më të rëndësishme të organizatës dhe ka për qëllim të forcojë ndikimin e Kartës Rinore në jetën e të rinjve.
Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë që Kosova të prezantojë potencialin e saj,
Sanchez: Ne sjellim së bashku të gjithë anëtarët evropianë të Kartës Rinore Evropiane
“Konferenca jonë është një ngjarje e rëndësishme për organizatën tonë. Ne sjellim së bashku të gjithë anëtarët evropianë të Kartës Rinore Evropiane, po flasim për më shumë se 40 anëtarë dhe më shumë se 9 milionë të rinj që përdorin kartën rinore. Në këtë konferencë do të flasim për strategjinë tonë, për markën tonë dhe, në përgjithësi, për mënyrat se si mund të ndikojmë në jetën e të rinjve. Ne duam që kjo kartë të krijojë një komunitet të të rinjve që mund të kenë qasje në projekte që lidhen me shëndetin mendor, punësimin, sipërmarrjen, të drejtat e njeriut dhe të drejtat sociale. Në kohët që po jetojmë sot, jo vetëm në Evropë, por në gjithë botën, projekte si Karta Rinore Evropiane po bëhen edhe më të domosdoshme dhe me më shumë kuptim. Ne besojmë që Kosova është një vend i shkëlqyer për ta zbatuar Kartën Rinore Evropiane. Keni filluar së fundmi, por po e bëni shumë mirë. Jam i sigurt që për shumë njerëz që po marrin pjesë në konferencë, kjo do të jetë hera e parë që vijnë në vendin tuaj, dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer që Kosova të prezantojë veten dhe të tregojë gjithë gjërat e mrekullueshme që mund të bëhen këtu”, ka thënë ai.
Sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, theksoi rëndësinë e konferencës dhe përfitimet që ajo sjell për rininë në Kosovë.
Bislimi: Tanimë kjo konferencë veçse është shndërruar në një platformë unike për bashkëpunim
“Sot këtu në Prishtinë, në mes të Ballkanit të hapë Konferencën e 41-të vjetore të Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini, nën moton frymëzuese, duke formësuar atë që vjen më pas. Konferenca 41 vjetore e Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini është më shumë se një ngjarje vjetore e zakonshme, tanimë kjo konferencë veçse është shndërruar në një platformë unike për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe ide të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e të rinjve në gjithë Evropën. Vetë sesioni periodik i konferencës tashmë është një thirrje për veprim, për përfshirje dhe për ndërtimin e një Evrope me më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë për të gjithë. Organizimi i sivjetmë i Konferencës në Republikën e Kosovës, pas anëtarësimit të vendit në këtë organizatë joqeveritare ndërkombëtare me shtrirje të gjerë të aktivitetit në mbarë Evropën në dhjetor të vitit 2023 është një rast i mirë për të konsideruar potencialin e madh të bashkëpunimit të institucioneve dhe organizatave vendore me shoqatën dhe anëtarët e tjerë të saj drejt rezultateve konkrete në të mirë të avansimit të politikave rinore dhe të shkëmbimeve të ndërsjella. 38 shtete në mbarë Evropën janë anëtare të shoqatës, të cilat lëshojnë Kartën Evropiane për të Rinë. Kjo kartë është e destinuar për të rinjtë nën moshën 30 dhe ofron përfitime në transport, kulturë, arsim, shërbime sociale, pjesëmarrje rinore, mobilitet ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Ndërsa, ka shtuar se përmes kësaj konference po forcojnë bashkëpunimin mes institucioneve, organizatave dhe aktorëve që ndikojnë në jetën e të rinjve.
