`Prishtina në Dorën Tënde` premton rishikim planesh urbane
Zgjedhjet e ardhshme lokale në Prishtinë janë një mundësi e re për ta kthyer kryeqytetin në duart e qytetarëve. Kështu u tha gjatë hapjes së fushatës së Iniciativës qytetare “Prishtina në Dorën Tënde.”
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Agim Krasniqi, theksoi se kjo nuk është vetëm një garë politike, por një thirrje për veprim – për një Prishtinë më të denjë për të jetuar.
“Sot jemi mbledhur për të hapur fushatën zyrtarisht, por edhe për të nisur një lëvizje për Prishtinën, e cila ka një emër të qartë – Prishtina në Dorën Tënde. Ky është momenti për qytetarët e Prishtinës që të ngrihen mbi interesat partiake dhe padrejtësitë që i janë bërë këtij qyteti, dhe t’i themi ‘mjaft më’. Është koha për një vizion tjetër, për një Prishtinë që i përket qytetarëve e jo interesave partiake. Prishtina nuk është ajo që e meritojmë sot; ajo është shndërruar në një hapësirë ku mungon rendi dhe vizioni që qytetarët e meritojnë,” theksoi ai.
Ai shtoi se e ardhmja e kryeqytetit është në duart e qytetarëve, duke prezantuar një pjesë të programit të Iniciativës.
“Prishtina nuk ka kohë për të pritur. Kryeqyteti duhet të kthehet në duart tona, aty ku e ka vendin. Ne, si ekip, nuk kemi plane për të dhënë premtime boshe. Kam mbi 20 vite përvojë në institucionet publike dhe kam kontribuar me përgjegjësi e ndershmëri që qytetarët të marrin shërbimet që u takojnë. Me këtë dua të them se di ta ndërtoj një Prishtinë ashtu siç e doni dhe e meritoni.
Programi ynë bazohet në disa shtylla kryesore: rishikimin e planeve urbane të miratuara sipas interesave partiake, ndalimin e menjëhershëm të ndërtimeve pa plan urbanistik, përcaktimin e zonave të paprekshme dhe zhvillimin infrastrukturor modern,” shtoi ai.
Gjatë hapjes së fushatës u prezantua edhe lista e kandidatëve për Asamblenë Komunale të Prishtinës, të cilët, siç u tha, do të jenë zëri i fuqishëm i qytetarëve në vendimmarrje.
