Prindërit e nxënësit e Podujevës ankohen për pasiguri në rrugë
Rruga drejt shkollës për nxënësit e fshatit Gllamnik të Podujevës çdo ditë është sfidë dhe shpesh një rrezik real. Në mungesë të infrastrukturës mbrojtëse, fëmijët detyrohen të kalojnë një nga rrugët më të frekuentuara në magjistralen Prishtinë-Podujevë. Nga Komuna e Podujevës premtojnë se do ta finalizojnë projektin e mbetur në gjysmë të nënkalimit.
Shkolla ku mëson Buroni së bashku me vëllanë e tij, Blinkanin është vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre, por rruga për të mbërritur atje është gjithçka tjetër përveçse e sigurt. Është babai i tyre, Kastrioti, që kujdeset t’i përcjellë çdo ditë.
Për ta dhe për shumë fëmijë të tjerë në fshatin Gllamnik rruga drejt dijes është një sfidë e përditshme. Shkolla ndodhet pranë rrugës magjistrale Prishtinë-Podujevë, dhe nxënësit detyrohen ta kalojnë atë çdo ditë, pa asnjë nënkalim, mbikalim apo masë tjetër mbrojtëse.
“Kjo është mënyrë e jetesës tonë të kalimit të rrugës, ne jetojmë me këtë rrugë, ne jetojmë me këtë gjendje. Kjo gjendje është diku rreth 8 vite që e kemi jetën në rrezik. E frekuentojmë ketë rrugë, unë me fëmijët dy herë në ditë. I sjelli fëmijët në shkollë edhe duhet me i marrë. është rrezik permanent”, thotë për RTK-në Kastriot Veliu, prind.
Edhe pse shkolla ofron transport të organizuar për nxënësit, shumë prej tyre ndihen të pasigurt në rrugën drejt saj.
“Unë më shpesh vijë me kombi, mirëpo kishte qenë mirë për ta rregulluar edhe nënkalimin për të ardhur drejt në shkollë, për të mos me kaluar rrugën. Mirëpo kur e kalojmë duhet pasur shumë kujdes prej veturave, sepse vozisin shpejt”, tha Suela Musliu, nxënëse.
“Unë rrugën rrallë e kaloj, mirëpo është mjaft rrezik. Shpesh më ka ndodh gati jam rrëzuar”, tha Altin Latifi, nxënës.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, thotë se një zgjidhje ishte planifikuar prej vitesh, por procedurat e parealizuara e kanë penguar realizimin e projektit.
“Kështu faktikisht është planifikuar, prapa nesh, po e shihni, është nënkalimi i planifikuar për shkak që ata të tjerët, kanë nisur një procedurë prokurimi, atëherë, dikur në vitin 2015, kur e kanë nisur rrugën, ka nisur pa asnjë shpronësim dhe pa përfill asnjë procedurë që është dashur paraprakisht të ndërmerren të gjitha masat, të bëhet shpronësimi i parcelave, tokat mbi të cilat ka për t’u zgjeruar rruga magjistrale Prishtinë-Podujevë dhe kjo është tashmë e kontraktuar kjo pjesë, ky segment i rrugës”, tha Bulliqi.
“Kompania tash e sa vite e ka ndërprerë punën qysh në periudhën e qeverive të kaluara dhe prej atëherë nuk ka vazhduar më tutje për të punuar këtë rrugë. Ai e ka obligim. Kontrata, me sa kam informacione, është e hapur dhe e ka obligim vazhdimin e punimeve deri në përmbyllje të punimeve, të cilat i ka lënë përgjysmë prej asaj kohe. Prandaj, unë jam në kontakt dhe do të jem prapë në kontakt me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Durmishi, dhe besoj që do të bëjmë çka është e mundur për ta shtyrë përpara këtë projekt”, nënvizoi tutje Bulliqi.
Ai thekson se edhe ndërtimi i një rreth-rrotullimi afër shkollës është konsideruar, por është i pamundur për shkak të qasjes në fshat.
“Kemi paraparë një rreth-rrotullim disa metra më larg, por është i pamundur të bëhet afër shkollës për shkak të qasjes në fshat. Megjithatë, nënkalimi është planifikuar dhe shpresojmë të realizohet, sapo të tejkalohen procedurat e shpronësimit”, tha Bulliqi.
Derisa kjo të ndodhë, rruga drejt shkollës “Kongresi i Manastirit” për nxënësit e Gllamnikut mbetet një kujtesë e përditshme për nevojën urgjente të ndërhyrjes për siguri, për jetë dhe për të drejtën për të mësuar pa frikë.
