Presidentja Osmani: Serbia po ndërhyn në zgjedhjet lokale, duhet mbrojtur integriteti i votës së lirë

Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë të diel në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), z. Kreshnik Radoniqi.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë, të rregullt dhe me integritet të plotë duke theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themel i demokracisë dhe i besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Në veçanti, Presidentja ngriti shqetësimin për ndërhyrjet e drejtpërdrejta të Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë, të cilat, sipas saj, po manifestohen përmes blerjes së votës, presioneve, frikësimeve dhe akteve të dhunës. Ajo theksoi se këto praktika përbëjnë një rrezik serioz për integritetin e zgjedhjeve dhe për sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani dënoi ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar duke bërë thirrje për angazhim të plotë institucional në mbrojtje të procesit demokratik. Ajo u bëri apel të gjithë akterëve politikë, institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që të kontribuojnë në garantimin e një procesi të drejtë, të lirë dhe transparent, si dhe të dënojnë çdo veprim që cenon vullnetin e qytetarëve të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP