Presidentja Osmani nderon Luan Haradinajn: Zgjodhi lirinë mbi jetën, atdheun mbi gjithçka
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar me nderim të thellë Heroin e Kombit, Luan Haradinaj, në përvjetorin e 27-të të rënies së tij heroike. Në një mesazh përkujtimor, Osmani theksoi se Haradinaj ishte ndër të parët që zgjodhi lirinë mbi jetën dhe atdheun mbi gjithçka tjetër.
“Në përvjetorin e rënies së Heroit Luan Haradinaj, përkulemi me nderim para jetës dhe sakrificës së tij. Ai ishte ndër të parët që zgjodhi lirinë mbi jetën, atdheun mbi gjithçka,” tha Presidentja Osmani.
Ajo shtoi se gjaku i Luan Haradinajt dhe i të gjithë heronjve të UÇK-së është gurthemel i lirisë së Kosovës dhe dëshmi e çmimit të lartë që u pagua për shtetin që gëzojmë sot.
Luan Haradinaj ra më 6 maj 1997, në moshën 23-vjeçare duke luftuar për lirinë e Kosovës, dhe mbetet një ndër figurat më të ndritura të luftës për çlirim.
“Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Luan Haradinaj!” përfundoi Presidentja Osmani. /Kosova.info/
