620 vite nga lindja e Skënderbeut – Nderime në Prishtinë për Heroin Kombëtar
Sot, më 6 maj 2025, në 620-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në zemër të Prishtinës u mbajtën homazhe dhe u organizuan nderime për figurën e pavdekshme të Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Në një ceremoni solemne pranë monumentit të Skënderbeut, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Sh.T. Z. Petrit Malaj, së bashku me stafin e ambasadës, vendosën kurorë me lule duke kujtuar simbolin e qëndresës, unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i lindur më 1405, është figura historike që përfaqëson themelin e identitetit kombëtar shqiptar. Lufta e tij kundër Perandorisë Osmane, vizioni për një komb të lirë dhe trashëgimia e lënë brezave, e bëjnë atë një ndër figurat më të ndritura të historisë së shqiptarëve dhe të qytetërimit europian.
“Lavdi përjetë Skënderbeut – themelit të identitetit tonë kombëtar!”, u tha në ceremoninë përkujtimore, që u ndoq nga qytetarë, institucione dhe përfaqësues të shoqërisë civile. /Kosova.info/
